Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, shoqërohet i dyshuari kryesor nga Fushë Kruja

2019-11-04 5 Dailymotion

Download Convert to MP3

Tre ditë pas atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja është shoqëruar nga policia si i dyshuar kryesor një person nga Fushë Kruja. Ai është shoqëruar nga policia e Tiranës mbrëmjen e djeshme, ndërsa sipas burimeve të Report Tv, bazuar te grupi hetimor ka prova të mjaftueshme që e fajësojnë në ngjarje, por priten edhe rezultatet nga ekspertiza për provat e gjetura në automjet për të thënë fjalën e fundit.

Në makinën që përdorën autorët për atentatin, por që nuk arritën që ta digjnin u gjetën dhe u sekuestruan fije floku dhe gjurmë gishtash, të cilat janë dërguar për ekspertizë për të zbuluar se kujt i përkasin për të zbuluar autorët e atentatit.Por si ndodhi atentati? Rreth orës 16:30 të ditës së premte Arjan Ndojës iu bë atentat te mbikalimi i Shkozetit në Durrës. Prokurori ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, aktualisht shofer i prokurorit.

Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezulton në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurori Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet, duke i lënë të tre të plagosur.

Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private, një 'Benz CLS' që dyshohet se ishin të njohur të të plagosurve. Më rëndë ndodhet shoferi Andi Maloku 30 vjeç, i cili ka marrë një plumb në gjoks dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, që njihet me disa emra ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

48-vjeçari Landi Muharremi është me precedentë penalë, i dyshuar si i përfshirë në 2016-ën në rrahjen e biznesmenit libanez i cili do të investonte përmes ndërtimit të një kompleksi në Gjirin e Lalzit, tokë mbi të cilën Muharremi pretendonte pronësinë.