Report TV -Basha: Nuk do lejojmë zhvillimin e zgjedhjeve! Dialog vetëm me largimin e Ramës

2019-05-28 0 Dailymotion

Download Convert to MP3

Opozita e bashkuar që ka dalë nga Kuvendi në rrugë, në protestat antiqeveritare, zyrtarizon koalicionin zgjedhor. Nuk pranon mbajtjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, nëse më parë nuk largohet kryeministri Edi Rama. Pjesëmarrja në zgjedhje e opozitës kushtëzohet vetëm me krijimin e një qeverie tranzitore që do të garantojë mbajtjen e tyre të lira dhe të ndershme.

'Regjistrohemi në zgjedhje vetëm pasi të plotësohet kushti për zgjedhje të lira dhe të ndershme' - tha në mbrëmje Basha - pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, duke shtuar se e vetmja mundësi për tu ulur në dialog me Partinë Socialiste për krijimin e qeverisë së përkohshme, është pa Edi Ramën kryeministër.

Kryedemokrati tha se nëse nuk pranohen këto kërkesa, atëherë opozita e bashkuar do të pamundësojë në çdo formë mbajtjen e zgjedhjeve që ai i quan fasadë.

Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, dhe aleatët e djathtë të Bashës, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Vangjel Dule, Nard Ndoka dhe Agron Duka, janë tashmë në koalicion zgjedhor, me kushtin e vetëm: Largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila ta çojë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky koalicion merr përsipër të nisë negociatat për të dalë me një platformë për të garantuar që zgjedhjet të jenë të lira, të çrrënjosë krimin dhe korrupsionin, dhe të shpalosë propozimet për mandatin e qeverisë tranzitore, që sipas Bashës, do të jenë jo vetëm në konsensus të opozitës së bashkuar por edhe me qytetarët.

Ky vendim u mor në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike këtë pasdite, ku lideri demokrat Lulzim Basha është mandatuar së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi për të negociuar me partitë e tjera, ku nga LSI në krye të grupit negociator është mandatuar kryetarja Monika Kryemadhi dhe ish-deputeti Endrit Braimllari.

Në mesin e kësaj krize politike, e vetmja datë e dekretuar për zgjedhjet, është ajo me firmë të presidentit Meta: 30 qershor 2019 ku pritet të zgjidhën krerët e rinj të bashkive.

Sa i përket protestave, Basha tha se do të merret më tej një vendim se si do të jetë vijimi i tyre. Sot që Kuvendi pati seancë plenare, opozita e bashkuar ndryshe nga plani për të protestuar çdo herë që ka Parlament, nuk pati një tubim.