Report TV -Lobimi i PD-së në SHBA, Basha refuzon të shkojë në prokurori

2019-03-29 0 Dailymotion

Download Convert to MP3

Sot prokuroria e Tiranës kishte thirrur Lulzim Bashën së bashku me sekretarin e përgjithshëm Gazmend Bardhi, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin për të dhënë shpjegime lidhur me tre kontratat e lobimit në SHBA. Por si Lulzim Basha dhe zyrtarët e tjerë të PD-së nuk kanë shkuar në prokurori për të dhënë shpjegime duke refuzuar thirrjen. Lideri demokrat ishte në Bruksel, ndërsa zyrtarët e tjerë të PD-së në protestën para parlamentit kundër qeverisë Rama.

Megjithatë, selia blu njofton se Basha i ka dërguar një letër Prokurorisë së Tiranës ku i shpjegon arsyet e refuzimit. Lulzim Basha e konsideroi kërkesën e paraqitjes në prokurori për njohjen e akteve rreth hetimit për respektimin e ligjit në deklarimet financiare të Partisë Demokratike si të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe të pa mbështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit. Sipas PD-së, kryetari Basha bën të ditur se as ai dhe asnjë drejtues tjetër i Partisë Demokratike nuk janë marrë nën hetim dhe nuk janë të pandehur në asnjë hetim, arsye për të cilën ata nuk ka nevojë të informohen dhe prokuroria nuk ka asnjë detyrim të informojë për të dhënat e verifikimeve që po bën. Gjithashtu, ai thekson se zyrtarët e PD janë paraqitur në Prokurori për të dhënë shpjegimet e tyre që ndihmojnë prokurorinë në këtë çështje.

"Për këtë arsye, çmohet e panevojshme paraqitja sipas njoftimit të ardhur për njohjen me aktet. Fakti që një ftesë e tillë vjen 6 muaj pasi ju e keni marrë informacionin në fjalë dhe në një kohë kur ka filluar një fushatë keqinformimi me natyrën dhe ecurinë e hetimit në fjalë, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike politike. Me thirrjen e panevojshme, keqinformuese dhe në një kohë të përzgjedhur politikisht, ju keni kompromentuar rëndë integritetin dhe paanshmërinë e hetimit u kërkojmë të distancoheni menjëherë nga qëndrime me prapavijë politike, si dhe ndaloni në të ardhmen çdo lloj përdorimi për qëllime politike të hetimi" thuhet në letrën e kryetarit të PD, Lulzim Basha.