Vetting-u në radhët e gjyqtarëve e prokurorëve ka përplasur në distancë Kryeministrin Rama dhe kreun e demokratëve Basha. Përmes një statusi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se ngërçi në gjykata nuk do të zgjasë me shumë se një vit, periudhë e mjaftueshme sipas tij, për të rilindur pallatin e drejtësisë.
"Po mbetemi pa gjykata të sipërme?Jo! Po operojmë organizma të kancerizuar që e degraduan deri në kockë drejtësinë. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda! Ky pastrim është shpëtim për dekada e breza që vijnë, rilindja e këtyre gjykatave është vetëm çështje e më pak se një viti".
Por Lulzim Basha flet për kapje të sistemit nga kryeministri.
"Djepi bosh i Gjykatës Kushtetuese i duhet kryeshejtanit për të mbrojtur mega aferën 200 milionë Euro me grabitjen e Teatrit Kombëtar. Ndërsa shejtanët në djepin e Prokurorisë ju duhen për të mbrojtur lidhjet me krimin dhe aferat korruptive, nga Tahiri te Xhafaj, nga Dako te Veliaj, nga Gjiknuri te Ahmetaj, nga Sejdini te Roshi me shokë".
Kreu i opozitës ka akuzuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se po zbaton standarde të dyfishta për gjyqtarët dhe prokurorët që i shërbejnë Kryeministrit, por kreu i qeverisë u shpreh se vetting-u po vepron në pavarësi të plotë e monitorim ndërkombëtar dhe se fletërrufetë kundër këtij procesi janë dëshpërim i atyre që e mbushën me llum pallatin e drejtësisë.