Nën masa të rrepta siguria u ekstradua nga Turqia në Shqipëri, Izet Haxhia, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit. Avioni i linjës Stamboll-Tiranë, me të cilin po transferohej 52-vjeçari zbriti në pistën e aeroportit të Rinasit, rreth orës 20:00 të së martës në mbrëmje.
Haxhia zbriti me pranga në duar i shoqëruar nga oficerët e Interpolit, ndërsa më pas eskorta e Drejtorisë së Burgjeve la pistën dhe iu drejtua komisariatit të Rinasit, i rrethuar nga efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Kjo është dhe fotoja para se 52-vjeçari të kryente procedurat e verifikimit në policinë kufitare.
Haxhia është arrestuar nga policia turke në vitin 2006, pasi ishte në listën e të kërkuarve të Interpol Tiranës. Ai kërkoi strehim politik në Turqi, me argumentin se i rrezikohej jeta. Atij nuk iu miratua azili po përfitoi një leje qëndrimi për një kohë të pacaktuar, me kushtin që të mos dilte jashtë Turqisë.
Për 12 vjet me radhë, autoritetet turke kishte refuzuar transferimin e tij në Shqipëri, por dy muaj më parë, Gjykata e Lartë Turke aprovoi ekstradimin dhe ky vendim u pranua edhe nga Ministri Turk i Drejtësisë.
Haxhia pritet të kërkojë rihapje të procesit gjyqësor në ngarkim të tij, për faktin se ai është dënuar në mungesë. Izet Haxhia 52 vjeçar nga fshati Babinë i Tropojës, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës në 29 prill të vitit 2002 e ka dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e Azem Hajdarit.
Për ngjarjen, janë dënuar edhe dy vëllezërit e Haxhisë, Ismet e Isamedin Haxhia, të cilët tashmë kanë shlyer dënimin e dhënë ndaj tyre.
Tv Klan