Në javën e shëndetit, ?autoambulanca rozë? që ka rrugëtuar nga Turqia në Shqipëri, do të ofrojë për 3 ditë shërbimin e mamografisë dhe paptestit falas për gratë nga mjekë turq dhe shqiptarë.
Në ceremoninë e çeljes së kësaj nisme ishin të pranishëm Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe zv/Ministri i Shëndetësisë së Turqisë Ahmet Baha Ogutken.
Jemi në javën e shëndetit e cila kulmon me 7 Prill, në ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, ndaj dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të rikthyer edhe një herë vëmendjen te rëndësia që ka parandalimi i hershëm i sëmundjeve, posaçërisht sëmundjeve tumorale sepse shpëton jetë! Ndaj dua të bëj një ftesë për të gjitha gratë që të mos e neglizhojnë kontrollin për kancerin e gjirit dhe kancerin cervikal, që për fat të keq, janë shkaktarët kryesorë të vdekjeve nga kanceri te gratë në Shqipëri.