TIRANE-Në Gjykatën e Krimeve të Rënda po vijon prej orës 09:30 minuta masa e sigurisë për 39 personat e arrestuar për trafik të klandestinëve nga Shqipëria në SHBA, Kanada dhe Angli. Mes të arrestuarve janë edhe 4 policë. Gjyqtarja Flora Haradinaj nuk lejon mediat në sallë me argumentin që nuk ka vend. Për herë të parë që nga krijimi i gjykatës së Krimeve në 2004 paraqiten kaq shumë të arrestuar në një seancë. Prokurori Eugen Beci kërkon lënien në fuqi dhe vazhdimin e masës së sigurisë arrest me burg për të arrestuarit.
Operacioni u finalizua para dy ditësh dhe nga 51 persona të përfshirë, 39 u arrestuan në Shqipëri, mes tyre 4 policë, ndërsa për 12 të tjerët (2 bullgarë) po punohet për prangosjen. Katër policët e arrestuar para dy ditësh ishin me detyrë kontrollorë në Pikat e Kalimit Kufitar, Hani i Hotit dhe Qafë Thanë, të cilët kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer regjistrimin e shtetasve të kontrabanduar. Ndërsa mbrëmë është ndaluar edhe një tjetër policë, pasi akuzohet se dekonspiroi aksionin.