Vetëm pak muaj pasi u vu në pranga me bujë nga Policia e Durrësit, Durim Keçi, i njohur si një nga të fortët e Shijakut, i kërkuar nga Italia për akuzat e trafikut të drogës, organizatës kriminale dhe shfrytëzimit të femrave për prostitucion, u lirua nga Gjykata.
Keçi madje u bë objekt i debatit mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste pas arrestimit. Kjo pasi PD akuzonte mazhorancën se Keçi kishte punuar për ta gjatë fushatës, por se tashmë e kishin shitur për një familje tjetër të rëndësishme. Lajmi u bë i ditur për televizionin Klan nga burime të organit të Gjykatës së Durrësit. Sipas të njëjtave burime argumentimi i lirimit të Keçit ishte se ai ka vuajtur një pjesë të dënimit me 9 vite e 7 muaj burg të dhënë ndaj tij në Xhenova të Italisë.
Po kështu pjesa e mbetur i është konvertuar në Shqipëri dhe pas vuajtjes së dëbimit të mbetur, Keçi u arrestua më 11 Tetor të vitit të kaluar gjatë një operacioni të policisë në Shijak. Tre ditë më vonë Gjykata dha ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg. Avokati e cilësoi arrestimin e Keçit, si arrestim tendencioz me natyrë raciste për shkak të diskriminimit të të qenit shqiptarë.
Keçi është arrestuar nga policia italiane dhe është gjykuar në bazë të procesit Kanun, bashkë me 135 shqiptarë të tjerë, shumica e të cilëve nga Shijaku. Arrestimi i Keçit u shoqërua me akuza edhe nga opozita në atë kohë e cila tha se Vangjush Dako dhe deputetë të Partisë Socialiste i kishin bërë presion policisë për këtë ngjarje.