Kuvendi ka miratuar kërkesën e mazhorancës për hetim në gjendje të lirë, kontrollin personal dhe të banesës të deputetit Saimir Tahiri me 75 vota pro dhe 60 kundër. Ndërkohë, është rrëzuar kërkesa e opozitës dhe e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Tahiri me 75 vota pro dhe 60 kundër.
Në momentin e votimit të dy kërkesave në sallën e Kuvendit kanë munguar deputetët Saimir Tahiri dhe Vangjel Tavo i LSI.
Në fjalën e tij në sallë, Tahiri tha se mirëpret çdo lloj vendimi të deputetëve, duke shtuar se rruga e tij nuk ndalet këtu, por do vazhdojë përballjen me drejtësinë.
"Kjo sallë ka dëgjuar shumë njerëz që janë betuar e përbetuar, kështu që unë do ia kursej çdo fjalë timen në lidhje me këtë. Nuk pres ta gjej të drejtën time këtu në Parlament, por para drejtësisë, kështu që mirëpres çdo vendim tuajin. Rruga ime nuk ndalet këtu", tha Tahiri.
Menjëherë pas fjalës së tij në Kuvend, ish-ministri Tahiri është larguar nga salla, duke vendosur të mos ndjekë nga afër diskutimet e deputetëve.