Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Lulzim Basha deklaroi se ndërkombëtarët nuk mund të kenë kompetenca kushtetuese në procesin e vettingut. Kreu i PD sqaroi se PD ka një qëndrim unanim dhe në thelb të këtij qëndrimi është Komisioni i Venecias.
Sipas tij, prania vendimmarrëse e ekspertëve të huaj në procesin e vettingut, cenon sovranitetin e Shqipërisë. Basha tha se edhe vetë kushtetutat e vendeve të tyre, ndalojnë rolin ekzekutiv në një vend tjetër.
"Gjithmonë kemi shprehur 3 gjëra. Moskapjen, sovranitetin dhe të drejtat e njeriut. Pra, mundësia për tu ankuar. Por, vazhdojmë të kemi kapje nëse shkelim sovranitetin me funksione ekzekutive të ndërkombëtarëve. Jemi investuar shumë deri tani te rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias për moskapjen. Komisioni i Venecias e ka detyruese moskapjen. Edhe vetë ndërkombëtarëve nuk ua lejojnë kushtetutat e vendeve të tyre rolin ekzekutiv dhe vendimmarrës në një vend tjetër. S'mund t'i japësh pushtet vendimmarrës dikujt që nuk jep llogari para qytetarëve shqiptarë", u shpreh Basha.