Report TV - "Drejtësia", Basha: Ekspertët e huaj te vettingu, cenim i sovranitetit

2016-09-19 1 Dailymotion

Download Convert to MP3

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Lulzim Basha deklaroi se ndërkombëtarët nuk mund të kenë kompetenca kushtetuese në procesin e vettingut. Kreu i PD sqaroi se PD ka një qëndrim unanim dhe në thelb të këtij qëndrimi është Komisioni i Venecias.

Ai tha se në propozimin e ri, PD ka inkorporuar 95% të draftit hibrid të propozuar nga SHBA dhe BE, pak ditë më parë. Basha përsëriti se ndërkombëtarët duhet të kenë rol monitorues dhe jo vendimmarrës në procesin e vettingut.

"Në këtë propozim inkorporojmë 95% të propozimit hibrid me të cilin kemi biseduar dhe me znj.Nuland. Shprehëm shqetësimin tonë për mosreflektimin e vërejtjeve të Komisionit të Venecias për rolin e misionit ndërkombëtar të monitorimit. Jo sepse PD ka mosbesim ndaj faktorit ndërkombëtar. PD dhe unë personalisht kemi thënë se nuk do të ketë votë të opozitës nëse nuk do të ketë mision ndërkombëtar të monitorimit. Por jo kompetenca kushtetuese. Të njëjtin qëndrim e ndava dhe me znj.Nuland. Nëse diçka nuk shkon mirë, ku mund ta drejtojë gishtin qytetari shqiptar te kryeministri i Finlandës? Apo te kryeministri i Suedisë? Projekti i reformës në drejtësi mund të përplaset me interesin e Edi Ramës", u shpreh Basha.

I pyetur për reagimin e ashpër të ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili tha se është i zhgënjyer me përgjigjen e z.Basha, kreu i PD theksoi se "ndonjëherë marrim vlerësimin e pamerituar, por asnjëherë nuk e marrim personalisht". "Ambasadori amerikan ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim sepse besoj fort tek një Shqipëri euroatlantike. Ne do të vazhdojmë të flasim hapur edhe kur biem dakord e kur nuk biem. Çështja për Gjykatën Kushtetuese negociatat le të vazhdojnë, ne jemi të hapur për këtë çështje. Jemi të hapur për mendime të tjera. Ndaj vlerësimin e ambasadorit amerikan për detajimin e kritereve për vettingun. Japim dhe do të japim kontributin tonë. Ndonjëherë marrim vlerësimin e pamerituar, por asnjëherë nuk e marrim personalisht", tha Basha.