Report TV - Fshehu dënimin në Zvicër e Itali, arrestohet Elvis Rroshi

2016-06-13 4 Dailymotion

Download Convert to MP3

Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi është arrestuar. Ka qenë një vendim i Gjykatës së Tiranës gjatë mesditës së sotme, që ka dhënë për Rroshin, në mungesë, masën e sigurisë "arrest me burg".

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka sqaruar përmes një njoftimi për shtyp se, mbi Rroshin rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve dhe mosdeklarim në formularin e vetëdeklarimit. Rroshi nuk deklaroi arrestimin e tij në Itali, në vitin 1993, në moshën 16-vjeçare si dhe arrestimin e dëbimin dy herë nga shteti zviceran në vitin 1995 dhe 1997.

Ka qenë organi i akuzës që ka kërkuar masën e sigurisë "arrest me burg", gjë e cila është pranuar nga Gjykata mesditën e sotme.

"Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit. Gjithashtu subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit", thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Mësohet se Rroshi është përcjellë për në komisariatin e Policisë së Kavajës dhe brenda 48 orëve ai do të njihet me masën e sigurisë në ngarkim të tij.

Për shkeljet ligjore si falsifikimi dhe deklarimi i rremë në formularin e vetëdeklarimit për efekt të ligjit të dekriminalizimit, Rroshi rrezikon dënim me gjobë si dhe dënim me burg nga 3 deri në 5 vite.

Dy ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i çeli rrugë Prokurorisë që të hetojë formularët e vetëdeklarimit të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi dhe atë të Krujës, Artur Bushi, pas dyshimeve të ngritura për deklarim të rremë.

Në 31 maj, kryebashkiaku i Kavajës dha dorëheqjen pasi siç deklaroi, avokatët e tij kishin zbuluar se ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burg nga drejtësia italiane në vitin 1992, atëherë Rroshi në moshën 16-vjeç.

Ndërsa tre ditë më pas, Elvis Rroshi tërhoqi dorëheqjen pasi publikoi dy dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga drejtësia italiane, ku ai rezultonte i pastër me të dy emrat, Ervin dhe Elvis.