Report TV - "Drejtësia", pas takimit me Lu, Basha shkon te Berisha

2016-06-06 0 Dailymotion

Download Convert to MP3

Pak orë para tryezës politike Rama-Basha, ambasadori amerikan Donald lu ka mbërritur në selinë blu në një takim me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Mësohet se në fokus të këtij takimi ishte pikërisht takimi final për reformën në drejtësi, për të cilën ambasadori amerikan ka qenë një nga diplomatët që ka kërkuar në vazhdimësi me këmbëngulje miratimin e saj.

Burime jo zyrtare thanë se ambasadori i ka kërkuar kryedemokratit Basha të japë dakordësinë e tij për këtë reformë ndërsa kryetari Basha është e shprehur se prej kohësh e ka kërkuar zgjidhjen politike për këtë çështje.

Sipas demokratëve paralelisht me reformën në drejtësi duhet të kalojë reforma zgjedhore ku opozita kërkon që në kod të parashikohet votimi elektronik, çështje për të cilën maxhoranca ka ofruar si zgjidhje numërimin e votave në qëndrat e votimit.

Ndërkaq reforma në drejtësi duket se ka dakordësinw e palëve për sa i përket emërimit të gjyqtarëve nga parlamenti ku kryeministri lëshoi në qëndrimin e tij kur tha se mund të votohen me dy të tretat e votave.

Por në këtë pikë opozita kërkon që në KLGJ dhe KLP emërimet të bëhen sipas formulës së zëvendësimit të vendeve e kjo duket se do jetë çështja që kërkon diskutim në tryezë. Ndërkaq për arkitekturën e sistemit Kryeministri është shprehur dy ditë më parë se ajo nuk mund të ndryshohet.

Takimi në selinë blu i ambasadorit amerikan ka zgjatur rreth 45 minuta, e menjëherë pasi ka përcjellë diplomatin amerikan kryetari i PD, Lulzim Basha, është drejtuar zyrës së ish kryeministrit Berisha, ku mësohet se është folur për rreth 35 minuta pikërisht për këtë çështje dhe për propozimet që do të parashtrojë PD në tryezën e dialogut politik. Takimi Rama-Basha pritet të mbahet në orën 17:00 në ambientet e Pallatit të Kongreseve ku në fokus pritet të jetë miratimi i një drafti të dakordësuar politikisht për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.

Kryeministri Edi Rama do të shoqërohet nga kryetari i komisionit të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili.