http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Qindra hektarë tokë e mbjellë me jonxhë, bimë të stinës si dhe pemëtore në komunës e Thumanës dhe në disa zona të tjera në Kurbin janë nën pushtetin e ujit prej 3 ditësh. Zonat më të dëmtuara nga përmbytjet janë fshatrat Dukagjin, Miliskajë, Derven e Gramëz, ku banorët thonë se përmbytja ndodh për shkak të mosfunksionimit të rrjetit kullues. Në fakt, pamjet tregojnë se në këtë zonë nuk funksionon asnjë kanal kullues dhe as kolektorët, të cilët janë mbuluar me bimësi të dendur që nuk lejon rrjedhjen e ujërave. Sipas ekspertëve, shkak tjetër për përmbytjet gjithnjë kur bie shi i dendur në këtë zonë është edhe mospastrimi i lumit të Drosë i cili përshkon mespërmes këto fusha deri në derdhjen e tij në detin Adriatik. Hamdi Pasha, kryetar i komunës Thumanë thotë jashtë kameras se situata është vërtet problematike pasi janë më shumë se 200 ha tokë nën ujë. Ndërkohë, qyteti i Lezhës është zgjuar i përmbytur sot si pasojë e reshjeve të shiut të rëna me intensitet të lartë. Uji ka mbetur për shumë kohë në rrugë për shkak të bllokimit të pusetave. Përmbytjet bënë që uji të depërtojë në ambientet e shumë bizneseve, të cilat ndodhën në anë të rrugës duke krijuar dhe dëme në disa prej tyre. Probleme ka pasur edhe në lëvizjen e qytetarëve. Bashkia e Lezhës ka angazhuar punonjësit e saj për hapjen e pusetave të bllokuara ndërsa pas disa orësh uji është tërhequr nga rruga.