Politikanët dhe analistët kosovarë i vlerësojnë si fuqizim të shtetit të Kosovës, kundrejt Serbisë, mesazhet e dhëna nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dhe shefja e diplomacisë europiane,
Catherine Ashton, gjatë vizitës në Prishtinë një ditë më parë. Sipas tyre, ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për shtetin e ri dhe një garanci se nuk do të ketë cënim të kufijve të vendit. Ndërsa përmendja e vijave të kuqe në dialogun me Serbinë, shihet si një forcim edhe më i madh i pozicionit të Republikës së Kosovës në bisedimet e pritshme politike me Beogradin. Megjithatë, lëvizja "Vetëvendosje", rolin e SHBA-ve dhe Bashkimit Europian për dialogun, i sheh si trysni ndaj Kosovës dhe Serbisë. Në vizitën e një dite më parë, Clinton dhe Ashton theksuan edhe njëherë në Prishtinë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i domosdoshëm. Ditë më parë edhe Kuvendi i Kosovës i ka dhënë mbështetje dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmes një rezolute, të cilën e kanë mbështetur edhe partitë opozitare, por jo lëvizja Vetëvendosje.