14 zyrtarë të Drejtorisë së Metrologjisë në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u shoqëruan orët e para të mëngjesit të së hënës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pasi akuzohen për "shpërdorim detyre", nëntë prej të cilëve me masë sigurimi "arrest me burg" dhe një i shpallur në kërkim policor.
Dy muaj hetime kanë çuar në finalizimin e operacionit të seksionit të antikorrupsionit në kryeqytet, i cili ka mundur të zbulojë skemën e paligjshme të zyrtarëve. Edhe pse burime zyrtare nuk kanë preferuar të prononcohen e të japin detaje pa marrë në pyetje të 14 të shoqëruarit, burime të besueshme të seksionit bëjnë të ditur se kanë rënë në pranga zëvendësdrejtori i përgjithshme i Metrologjisë, drejtori dhe zëvendësdrejtori për degën e Tiranës, dhe një sërë inspektorësh. Nga të dhënat paraprake që bëhen të ditura nga të tjera burime, mësohet se të akuzuarit, pas kontrollit që ushtronin në biznese të ndryshme dhe kur gjenin shkelje, gjobat të cilat ishin të përcaktuara me ligj, ua "falnin" shkelësve, duke futur në xhep shuma të konsiderueshme parash të cilat I ndanin me njëri-tjetrin. Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se subjektet e preferuara të tyre ishin kryesisht karburantet, ku vetëm në njërin prej tyre dëmi I shkaktuar kap shifrën e 6 milionëve lekëve të reja. Në lidhje me operacionin policor më të rëndësishëm të kohëve të fundit, pritet të dalë në një deklaratë për shtyp edhe drejtoria e kryeqytetit, e cila do të bëjë të ditur emrat e të arrestuarve, që është përpjekur t'i mbajë të fshehtë për arsye të zhvillimit të hetimeve.