Kërkoi shkarkimin e 10 gjyqtarëve KLD “shpërfill” ministrin Nasip Naço

2015-10-01 0 Dailymotion

Download Convert to MP3

TIRANË - Kërkesa e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për shkarkimin e 10 gjyqtarëve nuk do të jetë në rendin e ditës në mbledhjen e të premtes në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Burime nga KLD thanë për Report TV se mbledhja është planifikuar të mbahet të premten në orën 10:00 dhe do të drejtohet nga presidenti Bujar Nishani, i cili është dhe kryetari i këtij Këshilli.

Një javë më parë më 25 shtator Ministri i Drejtësisë me një letër publike i kërkoi KLD-së të procedoj me shkarkim 10 gjyqtarë të cilët sipas ministrit kanë shkelur ligjin, kanë fshehur pasuriët dhe janë në procese gjyqësore për korrupsion.

Por përse është refuzuar kjo kërkesë?

Report TV ka mundur të mësojë se gjatë përgatitjes së rendit të ditës, nga administrata është vlerësuar se në kërkesën e ministrit mungonin argumentet juridike për të cilët kërkohet shkarkimi i çdo gjyqtari.

Ende nuk dihet nëse ministri Naço do të jetë i pranishëm apo jo në mbledhjen që mbahet të premten, ku në rend të ditës do të ketë një sërë vlerësimesh për gjyqtarë dhe do të diskutohet dhe mbi punën e inspektorëve të vetë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.