TIRANE -- Partia Demokratike kërkon ngritjen e një komisioni të ri hetimor për të verifikuar të dhënat për atë që opozita e cilëson "fenomenin" e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë këtu përdorimin e hapësirës ajrore nga narkotrafikantët.
Kërkesa e demokratëve është dorëzuar formalisht në kryesinë e Kuvendit mëngjesin e sotëm nga deputeti Eduard Halimi, ndërsa është prezantuar në Komisionin Hetimor për akuzat mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në trafikun e drogës.
Bllokimi i avionit në Divjakë që dyshohet se do të ngarkohej me drogë, sipas demokratëve lind nevojën për mbylljen e komisionit aktual hetimor, pasi sipas tyre faktet janë të dukshme dhe përgënjeshtrimi i akuzave të opozitës nga ana e qeverisë, sipas tyre do të ishte një farsë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha se komisioni i ri që opozita kërkon të ngrihet duhet të hetojë edhe rolin e funksionarëve publik dhe masat e marra nga organet e pushtetit ekzekutiv përballë këtyre fakteve në vijim të informacioneve zyrtare të përcjella nga strukturat përgjegjëse.
Kërkesa e opozitës ka shkaktuar debate të ashpra në mbledhjen e sotme të komisionit hetimor, ku kryetarja Ermonela Felaj ka kërkuar vijimin normal me miratimin e rregullores duke argumentuar se diskutimi i ngritjes së një komisioni të ri hetimor është kompetencë e Kuvendit.
Sakaq, opozita braktisi mbledhjen, e cila përfundoi me miratimin e rregullores vetëm nga mazhoranca, cka i hap rrugë marrjes së të dhënave nga institucionet mbi të cilat do të ndërtohet plani i hetimit.