20 kilogramë marijuanë janë sekuestruar nga policia e qarkut Gjirokastër, ndërsa është arretsuar në flagrancë edhe transportuesi i saj Leonidha Gjini.
Operacioni i koduar "Kabriole" është finalizuar në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, pranë Ujit të Ftohtë, aty ku prej kohësh është ngritur edhe postoblloku i policisë i cili mban nën mbikqyrje këtë aks, me qëllim parandalimin e trafikimit të kësaj lënde.
Droga po transportohej me një automjet kabriole dhe nga kontrolli rezultoi se sasia e marijuanës ishte fshehur në bagazhin e sipërm të saj. 31-vjeçari Gjini , nga Gjirokastra, lëndën narkotike e kishte siguruar në Lazarat dhe ajo ishte e ndarë në 16 pako.
Burime nga Drejtoria e Qarkut të Policisë Gjirokastër, bëjnë me dije se në automjet ndodhej edhe një person tjetër, i cili është larguar porsa agjentët e anti drogës kanë bërë me shenjë që mjeti të ndalonte. Mësohet se policia ka bërë të mundur identifikimin dhe është duke punuar për kapjen e tij.