Ministria e Brendshme ka bërë të ditur mesditën e sotme se, në Lezhë janë bllokuar 19 kamionë, prej të cilëve, 15 kamionë të ngarkuar me mineral kromi dhe 4 kamionë të ngarkuar me inerte. Por edhe pse është bërë i ditur numri i kamionëve të bllokuar, ende nuk janë bërë të ditura emrat e kompanive që kanë në pronësi këto mjete.
Korrespondenti në Lezhë, i A1 Report dhe Shqiptarja.com Julian Hila, njofton se, janë rreth 1 mijë ton krom i ngarkuar në 15 kamionë që është bllokuar. Gjithashtu ai bën të ditur se, bashkë me kromin, janë bllokuar edhe inerte të ndryshme. I gjithë ky mall kishte një destinacion, Portin e Durrësit.
Sipas ministrisë, për këto materiale "transportuesit nuk kishin dokumentacionin përkatës".
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, "më datë 5 nëntor 2013, Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë ka organizuar një operacion për goditjen e aktiviteteve të kundraligjshme në lidhje me ngarkesat me minerale dhe inerte pa dokumentacinon e duhur tatimor".