SHKODËR (VELIPOJË) - Dy vetë janë mbytur sot pasdite në plazhin e Velipojës; njëri i cili po mbytej, sepse nuk dinte not dhe tjetri që shkon ta shpëtojë.
Viktimat janë Adnan Halimi nga Kosova, 50 vjeç dhe Mysit Paçrami, 56 vjeç, nga Shkodra.
Gjithçka ka ndodhur pasi Halimi është futur për të bërë not, kur sapo kishte përfunduar shiu, rreth orës 19:30 të mbrëmjes. Pasi ai është larguar nga bregu dhe prej dallgëve të larta ka pirë shumë ujë, ka kërkuar ndihmë nga banorët buzë detit.
Ka qenë 56-vjeçari Mysit Paçrami, ai që ka tentuar ta ndihmojë, por si pasojë e dallgëve deri në 3 metra të larta edhe ai nuk ka mundur të kthehet më mbrapsht dhe tragjikisht kanë humbur të dy jetën.
Për t'u ardhur në ndihmë janë futur në det edhe 3 të tjerë; Andi Liçna, 25 vjeç nga Velipoja, Bardhyl Alia, 25 vjeç nga Kosova dhe Viktor Arina, 28 vjeç nga Velipoja. Ata u futën në ujë, por dhe këta kanë pasur shumë vështirësi, duke rrezikuar jetët e tyre.
Banorët kanë njoftuar policinë, e cila ka lajmëruar policinë kufitare dhe ka qenë kjo e fundit, që ka dërguar dy skafë, të cilët kanë bërë të mundur shpëtimin e të paktën 3 njerëzve të fundit dhe dërgimin e tyre në qendrën shëndetësore të Velipojës.
Të rinjtë gjenden jashtë rrezikut, por sipas mjekëve ata kanë konsumuar shumë ujë dhe kanë rrezikuar seriozisht jetën.
Ndërkohë falë skafeve të policisë janë nxjerrë edhe dy të mbyturit, të cilët janë dërguar në qendrën shëndetësore të Velipojës dhe janë identifikuar nga familjarët.
Sot në Velipojë ka pasur reshje të konsiderueshme shiu dhe erë, si dhe dallgë 3-5 metra. Një numër i konsiderueshëm pushuesish nga Kosova prej motit të keq janë kthyer sot në vendin e tyre.