Nuk ka vonesa për hyrjen e prodhimeve të Maqedonisë në kufirin serb. Importet nga Maqedonia në Serbi sot zhvillohen pa ndonjë problem, pavarësisht njoftimeve të mediave serbe se po zbatohen masa reciproke me Maqedoninë, të kushtëzuara nga importi i miellit dhe grurit. Autoritetet maqedonase thonë se Marrëveshja e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë, CEFTA, nuk është shkelur.
"Një nen në marrëveshjen e CEFTA-s thotë se po që se vjen deri në destabilizimin e tregut për një produkt konkret, respektivisht në këtë rast do të thotë për miellin dhe grurin, atëherë mund çdo qeveri të sjell masa apo vendim të këtillë me qëllim që të mbrohet prodhimtaria vendore dhe ët mbrohen prodhuesit vendor. Ne kemi respektuar marrëveshjen e CEFTA-s. Ne ende vazhdojmë që të implementojmë këtë vendim i cili është në fuqi dhe presim që nga mesi i muajit shtator vendimi të tërhiqet", deklaroi Valon Saraçini, Ministër i Ekonomisë.
Megjithatë, autoritetet serbe njoftuan se edhe pse deri tani nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për prodhimet e Maqedonisë, ajo do të jetë e pashmangshme nëse Maqedonia në ditët e ardhshme nuk e shfuqizon masën për importin e kushtëzuar të miellit dhe grurit.
"Prioriteti ynë është që problemi të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe ti mbajmë marrëdhënie e mira me Maqedoninë, por për fat të keq nëse në ditët e ardhshme nuk anulohet masa e kontestuar nga Maqedonia, do të jemi të detyruar, apo ministrat tanë për bujqësi dhe tregti do të marrin raport të plotë dhe do ti raportojnë qeverisë, nga ku do të marrin udhëzime për hapat e mëtejshëm", tha Danilo Goluboviq, Sekretar shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë së Serbisë.
Në rast se Serbia zbaton kundërmasa, Saraçini paralajmëron:
"Atëherë ne do të shqyrtojmë mundësin që të vëmë masat e reciprocitetit për produktet të cilat Serbia i importon në Republikën e Maqedonisë dhe atëherë mund të them se ne do të hyjmë në një luftë klasike tregtare që nuk është mirë për të dyja shtetet", u shpreh Valon Saraçini, Ministër i Ekonomisë.
Nga Ministria e Bujqësisë në Shkup mbeten në qëndrimin se masa- që për import të miellit dhe grurit serb, mullisët të duhet së pari të blejnë sasi të caktuar të miellit dhe grurit vendor - do të hiqet kur tregu në Maqedoni do të stabilizohet. Natasha Stojanovska