Serbia pret që Maqedonia së shpejti ta tërheqë masën për kufizimin e importit të grurit dhe miellit, dhe se nuk do të ketë nevojë për vendosjen e kundër-masave për produktet maqedonase, deklaroi ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq.
?CEFTA kërkoi nga Maqedonia që ta tërheqë masën me të cilën shkelen marrëveshjet për tregti të lirë dhe Unë sinqerisht shpresoj se Maqedonia do ta bëjë këtë në një kohë sa më të afërt. Serbia tregoi nivel të lartë të mirëkuptimit për problemet maqedonase, ndërsa nga lufta tregtare askush nuk do të kishte fitim. Pa dyshim se nga aspekti politik do të ishte atraktive që të vendosen kundër-masa, por kjo askujt nuk i konvenon. Me Maqedoninë kemi 600 milionë dollarë shkëmbim tregtar dhe këtë assesi nuk duhet ta cenojmë, prandaj presim që problemi të zgjidhet".
Megjithatë, një pjesë e mediave në Serbi spekulojnë se Serbia ngadalë po i vendosë masat reciproke ndaj Maqedonisë. Sipas gazetës "Politika"
"Prej sot dhe gjatë fundjavës të gjitha shërbimet kufitare për inspektim do të fillojnë kontrolle dhe mbikëqyrje drastike të përforcuara të të gjitha prodhimeve ushqimore dhe bujqësore që në Serbi importohen nga Maqedonia. Masat e tilla duhet në mënyre drastike ta ngadalësojnë, ndërlikojnë dhe vështirësojnë importin nga Maqedonia, që do të jetë përgjigjja e parë nga pala serbe ndaj Maqedonisë," shkruan "Politika" duke iu referuar burimeve në Qeverinë e Serbisë.
Në Ministrinë serbe të Tregtisë, e cila është kompetente për kontestin edhe sot nuk ishin të kapshëm për të komentuar, ndonëse me javë të tëra kërcënoheshin me masa reciproke për Maqedoninë. Të paarritshëm janë edhe në Ministrinë e Bujqësisë të Maqedonisë, prej ku nuk ka kurrfarë përgjigje nëse dhe kur planifikojnë të pezullohet masa. Vetëm ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini i cili është kompetent për CEFTA-n, thotë se pret që deri nga mesi i javës së ardhshme të gjendet zgjidhje dhe problemi të jetë i tejkaluar. Megjithatë, nuk ka termin të saktë se kur do të pezullohej masa.
Javën e kaluar nga Qeveria e Maqedonisë deklaruan se janë të përqendruar në përshpejtimin e blerjes së grurit vendor, ndërsa mbetet në fuqi deri në stabilizimin e tregut. Deri tani është blerë rreth 75 për qind e grurit vendor. Natasha Stojanovska